Site icon Telegrafi

Shfuqizimi i Ligjit për Specialen do ta konfrontonte Kosovën me shtete mike

Të premten që lamë pas Kosova gati sa nuk rrezikoi marrëdhëniet me shtetet evropiane. E, krejt kjo për shkak të përpjekjes për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

Kryesia e Kuvendit të premten dështoi dy herë radhazi që të sigurojë kuorumin për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve nënshkrues, me të cilën kërkohej seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që njihet si Gjykata Speciale.

Lidhur me këtë, njohës të çështjeve juridike thonë se për shfuqizimin e këtij ligji nuk mjafton vetëm një shumicë e thjeshtë, por nevojiten 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Mazllum Baraliu, profesor i të Drejtës Kushtetuese, duke folur për Telegrafin, ka thënë se iniciativa për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale ishte befasuese, dhe se ky ligj nuk do të mund të votohej për të kaluar me shumicë të thjeshtë.

“Është mjaftë indikativ dhe befasuese se si dhe pse tani pas kaq vitesh vjen një iniciativë e tillë. Megjithatë kjo është iniciativë legjitime si nga ana e veteranëve përmes peticionit po ashtu edhe iniciativa e deputetëve, sepse është e drejtë e tyre është iniciativë legjitime e bazuar në rregullore. Mirëpo procedura për shfuqizimin është e njëjtë sikurse kur miratohen ligjet. Ky ligj, duhet domosdo t’i ketë dy të tretat e votave të Kuvendit, përndryshe nuk mund të procedohet më tutje “, ka thënë Baraliu.

Ai ka shtuar se fillimisht ka qenë dashur që një iniciativë e tillë të mendohej mirë, e pastaj të procedohej të analizohet e të diskutohet.

Profesor Baraliu ka theksuar se kjo gjë do të duhej dhe duhet të përfundojë në frymën kushtetuese dhe të ligjeve në fuqi.

Edhe profesor Smaka vlerëson se procedimi i këtij Ligji për shfuqizim do të shkaktonte konfrontimin e Kosovës me shtet të cilat janë mbështetëse të çështjes shqiptare.

“Aktet ligjore janë akte juridike të përgjithshme kudo dhe kurdo të cilat ju referohen të gjithë entiteteve natyrale apo qytetarëve pavarësisht dallimeve racore, etnike, gjinore etj. Me këtë rast Ligji aktual i problematizuar, juridikisht përmban jo pak defekte serioze. Mirëpo nga oportuniteti politik konsideroj se së paku në këtë etapë nuk do të duhej të procedohej propozimi për amendantime aq më pak për abrogimin e atij akti juridik ngase ndër të tjera do të konfrontoheshim me shtetet relevante të cilat ishin, janë dhe do të duhej të mbeteshin mbështetëse të çështjes shqiptare”, ka thënë Smaka për Telegrafi.

Ai tutje ka theksuar se pa mbështetjen e këtyre shteteve relevante jo që nuk do të mund të bënim progres, por do të vinte në pyetje statusi politik e juridik i vendit tonë, i cili, sipas tij, do të kontestohej heshtazi, por edhe shprehimisht në forma të ndryshme.

Kujtojmë se pas tentimit të së premtes nga ana e presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, që të arrijnë që këtë Ligj ta dërgojnë në Kuvendin e Kosovës për ta shfuqizuar, ka pasur reagime të shumta nga ana e zyrtarëve të lartë të shteteve të BE-së.

Ambasadori amerikan, Greg Delawie këtë tentim e ka quajtur ‘thikë pas shpine për SHBA-të’, duke thënë se revokimi i Gjykatës Speciale do të shënonte një pikë kthese për Kosovën.

Edhe ambasadori britanik, Ruairi O’Connell kishte deklaruar të premten që lamë pas se në rast se ky Ligj shfuqizohet do të jetë shumë keq për Kosovën.

Po ashtu edhe shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, kishte thënë se iniciativa e Kuvendit të Kosovës për ta shfuqizuar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është tmerruese dhe jashtëzakonisht e dëmshme.

Kuvendi i Kosovës më 3 gusht të vitit 2015 pati miratuar me procedurë të përshpejtuar Ligjin për Gjykatën Speciale. Miratimi ishte bërë me shumicë votash, por pa pjesëmarrjen e partive të opozitës, të cilat atë kohë i bojkotuan punimet e Kuvendit. /Telegrafi/

Exit mobile version