Telegrafi

Shfrytëzuesit e tabletëve gjithnjë e më shumë po paguajnë për leximin e lajmeve

Në studimin të cilin e ka kryer Center Project for Excellence in Journalism i Pew Research dhe Economist Group është konstatuar se rreth 77% të pronarëve të tabletëve përdorin pajisjet e veta për çdo dit, duke kaluar me to mesatarisht rreth 90 minuta në dit.

Leximi i lajmeve ditore është aktiviteti i tretë më i popullarizuar, e 53% e të anketuarve kanë thënë se lexojnë lajmet në tablet çdo ditë. Nga leximi i lajmeve më të popullarizuar janë vetëm shfletimi i Internetit të cilin për çdo dit e praktikon rreth 67% e të anketuarve, dhe përdorimi i postës elektronike me 54% të shfrytëzuesve të përfshirë në hulumtim.

Nëse të dhënat e marrë nga shfrytëzuesit që për çdo dit lexojnë lajmet ditore analizohen më në detaje, shihet se rreth 33% e tyre kanë thënë se pasi që kanë blerë tabletin më shumë kohë kalojnë duke lexuar lajmet. Përqindje të njëjtë e njerëzve kanë thënë se tani po gjejnë burime të reja të informatave në tabletët e tyre, burime këto të cilat asnjëherë nuk kanë përdorur në kompjuterët apo televizorët e tyre.

Por vetëm 14% e atyre që lexojnë lajmet në tablet kanë thënë se kanë paguar për të lexuar lajmet, e 23% e respondentëve kanë thënë se janë të abonuar në versionet e shtypura të revistave që përfshijnë edhe qasjen në përmbajtjet digjitale. Nga këto shifra del se më shumë se një e treta e shfrytëzuesve paguan në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë për përmbajtjet që lexojnë në tablet, që është më shumë se në hulumtimet e ngjashme të kryera më herët.

Studimi është kryer gjatë verës dhe fillimit të vjeshtës ndërsa kombinon rezultatet e disa hulumtimeve të pavarura të shfrytëzuesve. Në hulumtimin e parë është përfshirë publiku gjeneral, derisa dy hulumtimet e tjera kanë përshirë më shumë se 1,000 shfrytëzues të tabletëve. /Telegrafi/