Telegrafi

Shfrytëzoni bananet në maksimum

Mësoni se si mund ta shfrytëzoni bananen në maksimum. Kur keni nevojë të hani diçka në mes të shujtave, banania është një zgjedhje e mirë – ajo është ngopëse dhe gjithashtu ju jep energji. Megjithatë, nuk është gjithçka në ushqim.

Ushqimi dhe shëndeti
Në receta, në qoftë se nuk jeni adhurues të vezëve, ose jeni vegan, mund t’i zëvendësoni ato me banane. Një banane e madhësisë së mesme, e shtypur, mund ta zëvendësojë një vezë në recetat për pjekje të bukës, ëmbëlsirave, biskotave.

Akulloren më të shpejtë mund ta bëni me vetëm një përbërës – bananen. Shtypeni atë dhe ngrijeni në një qese, transmeton Koha.net. Nxirreni nga ngrirësi dhe vendoseni në blender. Shërbejeni me copëze çokollate, fruta të thata ose arra.

Kundër ënjtjes së fytyrës dhe qeskave nën sy është mirë të hani banane. Kaliumi nga bananet e zvogëlon mbajtjen e ujit në trup. Gjithashtu, mund ta merrni lëvoren e bananes dhe me pjesën e brendshme ta fërkoni shkurtimisht pjesën e poshtme të syrit.

Në shtëpi dhe kopsht
Për t’i lustruar këpucët ju duhet vetëm një lëvozhgë bananeje. Hiqni nga brendësia e lëvozhgës copat e varura dhe pastroni këpucët mirë. Më pas vetëm fshini pak me peshqir apo leckë të thatë.

Disa shkencëtarë kanë ardhur në përfundim se banania, ose më saktë lëvorja e saj, është e mirë për pastrimin e ujit. Megjithatë, si pleh natyror ajo është vërtetuar si e shkëlqyer. Dhe plotësisht natyrore. Thani lëvoren e bananes (më së miri në dehidratues apo në furrë në një temperaturë më të ulët) gjatë dimrit dhe para se të lulëzojë pranvera bluani lëvoret e thata dhe përdorni ato për t’i mbuluar dhe plehrosur fidanët. (Gjithashtu mund t’i përzieni ato me lëvozhgat e grira të vezëve).

Për bukuri
Banania është e shkëlqyeshme për fytyrë sepse është e mbushur me ujë, vitamina, minerale, enzime… Prandaj është e shkëlqyeshme për hidratim të lëkurës. Maskën e bëni thjesht – vetëm shtypeni bananen, dhe vendoseni atë në fytyrë të pastër. Lëreni të veprojë për 20-30 minuta, pastaj shpëlajeni me ujë të vakët.

Disa ekspertë të flokëve pohojnë se banania është kondicioneri më i mirë për flokë. Në bananen e shtypur shtoni pak ujë për ta fituar një përzierje më të lëngshme. Aplikoni atë në të gjithë flokët nga rrënja deri te maja – shpërndajeni atë me krehër. Lëreni të veprojë 20 minuta, pastaj shpëlani mirë. /Telegrafi/