Site icon Telegrafi

Shfrytëzon imunitetin e presidentit, Sarkozy refuzoi të dëshmojë: Unë nuk i përgjigjem gjykatës, por popullit francez

Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve në gjyqin e ish-bashkëpunëtorëve të tij si dëshmitar.

Ata akuzohen për keqpërdorim të fondeve publike për financimin e sondazheve të opinionit publik, raporton theguardian.

“Si President i Republikës, unë nuk po i përgjigjem gjykatës, por popullit francez”, tha Sarkozy, transmeton Telegrafi.

Sarkozy, i cili ka imunitet presidencial në këtë rast, fillimisht tha se nuk do të paraqitet si dëshmitar pasi u dënua dy herë këtë vit në raste të veçanta.

Gjykata, megjithatë, urdhëroi 66-vjeçarin Sarkozy, i cili ishte president nga viti 2007 deri në 2012, të paraqitej si dëshmitar në një gjyq për sondazhet e opinionit, të cilat u porositën kur ai ishte kreu i shtetit.

Sarkozy e quajti sot urdhrin e gjyqtarit “jokushtetues” dhe “plotësisht joproporcional”.

Pesë ish-bashkëpunëtorë dhe ndihmës të Sarkozyt ndërmjet viteve 2007 dhe 2012, kur ai drejtonte Francën, janë në gjyq me akuzën e favorizimit, komplotit dhe abuzimit të fondeve publike për të lidhur kontrata me kompanitë e sondazhit të opinionit publik me vlerë 7.5 milionë euro.

Sipas Kushtetutës franceze, presidenti ka imunitet për veprimet e kryera gjatë mandatit të tij, por nuk përjashtohet që ai të paraqitet si dëshmitar në gjyq. /Telegrafi/

Exit mobile version