Telegrafi

Shfrytëzojnë rastin, terroristët e ISIS-it ‘arratisen nga burgu’ gjatë tërmetit në Siri

Anëtarët e dyshuar të Shtetit Islamik janë arratisur nga një burg sirian gjatë tërmetit, sipas Agence France-Presse (AFP).

Agjencia e lajmeve raportoi se të burgosurit u rebeluan në një burg të policisë ushtarake në Rajo, pranë kufirit turk, ku 1,300 nga 2,000 të burgosurit e saj besohet të jenë luftëtarë të ISIS-it, përcjell Telegrafi.

Siç vë në pah Sky News, raportohet se të paktën 20 të burgosur janë arratisur.

Shteti Islamik konsiderohet një organizatë terroriste.

“Pas tërmetit, të burgosurit filluan të kryenin kryengritje dhe morën kontrollin e pjesëve të burgut”, citohet të ketë thënë për AFP një burim.

“Rreth 20 të burgosur u larguan… të cilët besohet se janë militantë të ISIS-it”.

Ndërkohë Agjencia kulturore e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, ka thënë se është “veçanërisht e shqetësuar” për qytetin antik të Aleppos në Siri, pas kryerjes së një vlerësimi të dëmeve në vendet e trashëgimisë në zonat e goditura nga tërmeti.

Aleppo, i cili është klasifikuar si një trashëgimi botërore e rrezikuar, ka përjetuar shkatërrime të rënda, me shumë ndërtesa të rrafshuara.

Një nga strukturat që është dëmtuar është Kalaja e Aleppos, një pallat i madh mesjetar i fortifikuar në qendër të qytetit të vjetër. /Telegrafi/