Një firmë e drejtuar nga vajza e Bruce Lee ka hedhur në gjyq një rrjet të restoranteve të ushqimit të shpejtë kinez për përdorimin e imazhit të babait të saj në logon e restorantit pa leje dhe po kërkon mbi 210 milion juanë (30 milionë dollarë) në kompensim, shkruajnë mediat kineze.
“Bruce Lee Enterprises” me qendër në Kaliforni, kryetarja e së cilës është Shannon Lee, ngriti çështjen kundër zinxhirit të ushqimeve “Real Kungfu” në një gjykatë në Shangai të mërkurën, duke kërkuar që firma ushqimore të ndalojë përdorimin e figurës dhe të paguajë 88,000 juanë shtesë për të mbuluar shpenzimet ligjore, shkruan REUTERS.
Ai gjithashtu kërkoi që zinxhiri i restoranteve me bazë në Guangzhou të lëshojë sqarime për 90 ditë për të thënë se nuk ka asnjë lidhje me Bruce Lee. “Real Kungfu”, i cili shet ushqime me oriz dhe ushqime tradicionale kineze, u themelua në vitin 1990 dhe ka dyqane në mbi 57 qytete kineze.
Logoja e saj përbëhet nga një burrë i veshur me një xhaket të verdhë me mëngë të gjata, pamja dhe qëndrimi i të cilit janë të ngjashme me Bruce Lee dhe pozën e famshme të tij.
“Real Kungfu” në llogarinë e tij Weibo të enjten tha se ishte “në mëdyshje” nga padia pasi kishte përdorur atë logo për 15 vitet e fundit. Ata thanë që ndërsa kishin pasur disa çështje në të kaluarën, përdorimi i logos u aprovua nga autoritetet kombëtare.
Parashtrimi i çështjes vjen pasi Kina është zotuar të përmirësojë mbrojtjen për të drejtat e pronësisë intelektuale dhe të zbatojë dënime më të ashpra, një nga temat kryesore në mosmarrëveshjen tregtare të Pekinit me Shtetet e Bashkuara. /Telegrafi/