Shfaqja “Vojçek” e cila është një shfaqje teatrale me autor shkrimtarin gjerman Georg Büchner, do të vijë shumë shpejt edhe në skenën e Teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë, me regji të regjisores Zana Hoxha.
Regjisorja Hoxha, rreth tekstit të kësaj shfaqjeje, potencoi që shfaqja ka një tekst i cili shpreh gjendje të ndryshme emocionale, duke përcjell një mesazh të rëndësishëm.
“Ky është një tekst i cili ka një kombinim të gjendjeve të ndryshme emocionale, dhe mendoj që është një tekst i mrekullueshëm, dhe shpresoj shumë që njerëzit të vijnë në teatër për tu çliruar nga diçka që i mundon, që të marrin mesazhe të rëndësishme, të reflektojnë dhe të marrin mendime të ndryshme”.
Regjisorja Hoxha kthehet pas pesë viteve për të punuar në Gjakovë, ku për realizimin e shfaqjes “Vojçek” ka zgjedhur një kastë prej 6 aktorëve.
Aktorët të cilët do të jenë pjesë e kësaj shfaqjeje janë Bujar Ahmeti, Edi Kastrati, Aurita Agushi, Arbies Komoni, Vlora Dervishi dhe Altina Kusari.
Premiera e shfaqjes “Vojçek” pritet të shfaqet si premierë në Teatrin “Hadi Shehu” në javën e tretë të muajit shkurt.