Telegrafi

Shfaqen shenjat e para të krizës

Këtë e komfirmon edhe zyrtari për informim në kompleksin industrial Trepça, Bislim Muçaj, sipas të cilit çmimet e plumbit dhe të zinkut në bursat botërore kanë rënë, gjë që ka ndikuar në uljen e çmimeve edhe në Kosovë.

“Padyshim që kriza globale ka goditur edhe tregun e metaleve, është reflektuar edhe në ndërmarrjen tonë, kështu që çmimet aktualisht janë shumë të ulta. Aktualisht, ne kemi stoqe të koncentratit të plumb-zinkut, për to kemi hapur një tender ndërkombëtar. Tash për tash ka të interesuar por çmimet janë të pavolitshme dhe ne jemi në bisedime për çështjen e këtyre çmimeve”, tha z.Muçaj.

Ai ka bërë të ditur se në muajin mars të vitit 2008, çmimi i ton plumbi ka qenë diku rreth 1800 euro, i zinkut 1581 euro, ndërsa sot çmimi i metalit të plumbit është 1158 për ton, kurse i zinkut 1172.

Zyrtari për informim në kompleksin industrial Trepça, Bislim Muçaj thotë se çmimet e metaleve valorizohen sipas bursës së Londrës.

Ndërkohë, Enti i Statistikave të Kosovës ka njoftuar për rënie të eksportit në fillim të këtij viti,si pasojë e krizës financiare globale.

Në muajin janar, eksporti në Kosovë kishte vlerën 6.7 milionë euro apo 41 përqind më pak krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë në opozitë, Berim Ramosaj, i cili është edhe ekspert i ekonomisë, ka tërhequr vërejtjen se kriza financiare globale do ta prekë Kosovën pothuajse në të gjitha fushat.

Ai tha se industria financiare nuk është prekur deri tani, pasi bankat në Kosovë janë kryesisht të karakterit komercial dhe nuk kanë investuar kapitalin e tyre jashtë.

Sip z.Ramosaj nuk ka dyshim që efektet e kësaj krizedo të reflektohen edhe në Kosovë.

“Së pari do të prekemi nga pamundësia e investitorëve potencialë për të plasuar kapitalin në Kosovë duke marrë parasysh krizën që e kanë në vendet e tyre. Po vërehet se çdo ditë është gjithnjë më i ulët niveli i investitorëve që dëshirojnë të investojnë në Kosovë, por ndikimi i krizës vërehet edhe në nivelin e prurjeve nga diaspora kosovare që ne i njohim si remintanca, sepse ata janë të preokupuar me vendet e punës ku punojnë, e jo me të ardhurat të cilat do t’i plasonin qoftë për ekonomitë familjare apo bizneset në Kosovë,” – thotë zoti Ramosaj.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi është shprehur optimist se Kosova nuk do t’i ndjejë pasojat e krizës financiare globale.

Ai tha të enjten se megjithëse kjo krizë ka goditur shumë vende në vitin 2008, në Kosovë nuk është reflektuar, por përkundrazi sipas tij, ka pasur rritje ekonomike prej 6 përqind.

“Unë them që ta shohim gjendjen paksa me optimizëm. Nëse marrim vitin e kaluar kur kriza financiare ishte jo vetëm në rajon, por në tërë botën, Kosova ka pasur zhvillime pozitive në kuptimin e ngritjes së GDP-së. Edhe këtë vit përmes projektimeve tona zhvillimore, kemi paraparë një zhvillim ekonomik, jo rënie, por përkundrazi pozitivitet në zhvillim ekonomik”, deklaroi zvkryeministri Kuçi.

Zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë paralajmëruar se edhe shtetet në zhvillim, të cilat nuk kanë pasur asnjë rol në krijimin e krizës financiare globale do të preken shumë nga ajo dhe kanë kërkuar që ekonomive të këtyre vendeve t’u kushtohet më shumë vëmendje.

Eksperti i ekonomisë në Prishtinë, Muhamet Sadiku thotë për BBC-në se trendet e zhvillimit ekonomik të Kosovës pritet të bien edhe më shumë këtë vit, për shkak të zvogëlimit të pritshëm të dërgesave nga diaspora si pasojë e krizës financiare në shtetet ku ata jetojnë.

“Duhet pritur se dërgesat nga diaspora do të ulen sepse java e punës në vendet ku ata punojnë është përgjysmuar, në disa raste edhe më shumë, pastaj probleme ka sjellur humbja e fondit të kursimeve pensionale rreth 30 përqind dhe ajo që duhet pritur, si rezultat i shtrëngesave financiare, është se pritet të ulet edhe niveli i kërkesës në treg dhe kjo gjithsesi do të reflektohet edhe në kohezionin tejet të brishtë social, i cili dominon në Kosovë,” – tha zoti Sadiku.

Profesor Sadiku paralajmëron edhe rënie të prodhimit dhe eksporteve edhe ashtu të vogla të Kosovës. Ai thotë se efektet e krizës në vendet me nivel të ulët të zhvillimit ekonomik, siç është Kosova, do të vërehen më shumë në gjysmën e dytë të këtij viti. /bbc/