Një shëtitës francez që është nisur me traktor nga vendi i tij për të shkuar në Indi, ka arritur në qytezën Malkara të provincës perëndimore turke Tekirdag.
Siç shkruan AnadolyAgency, Mare Jardin, 53-vjeç, i cili hyri në qytezë me traktor dhe një dhomë të rimorkuar pas tij, u bë qendër e vëmendjes së qytetarëve.
Duke folur për gazetarët, udhëtari francez tha se në këtë mënyrë synon të shëtisë gjithë botën, ndërsa shtoi se të gjitha nevojat i plotëson në rimorkio.
“Vij nga Franca dhe po shkoj në Indi. Shpresoj të jetë një udhëtim i mirë për mua. Nuk brengosem. Kjo jetë është e imja dhe unë e dua këtë jetë. Të gjitha nevojat e mia i plotësoj në dhomën e rimorkuar. Këtu kam shtratin, dollapin dhe madje edhe sobë. Unë e dua këtë jetë”, tha Jardin.
Pasi kaloi një kohë me qytetarët, Jardin u largua nga qyteza.