Kaosi në trafik për shkak të ndërtimit të sheshit “Skënderbeu” në Shkup do të vazhdojë edhe për muaj të tërë. Punimet ndërtimore po realizohen me tempo shumë të ngadalësuar dhe me numër më të vogël punëtorësh. Por pavarësisht kësaj, nga Komuna e Çairit thonë se projekti do të jetë gati në nëntor, raporton Alsat M.
“Te sheshi i Skënderbeut punohet, punohet sipas dinamikës së projektit, për momentin bëhet përgatitja e betonimit të trave. Më ngadalë shkon për shkak që edhe komunikacioni është i dendur aty, e kemi bërë një regjim të posaçëm për komunikacion. Me këtë tempo, besoj që deri në fund të muajit nëntor të vitit 2016 duhet të përfundojnë punimet”, tha Xhengiz Hani, Komuna Çair.
Pos zvarritjes së punimeve, Komunës së Çairit nuk i mjaftuan 10 milion euro të projektit, andaj kanë paraparë të harxhojnë 8 milion denarë vetëm për dislokimin e bazamentit të Skënderbeut. /Telegrafi/