Ende pa përfunduar punimet, sheshi Skënderbeu po pëson dëmtime të mëdha. Ashensori që lidh katin përdhes me tarracën, ulëse të dëmtuara dhe hapësirat e gjelbra të shkatërruara tërësisht. Sheshi pothuajse është shndërruar në çerdhe për qentë endacakë, ndërsa qytetarët shprehen të revoltuar për këtë gjendje.
Nga Komuna e Çairit thonë se qytetarë të papërgjegjshëm dëmtojnë atë që deri tani është ndërtuar.
“Komuna e Çairit bën monitorimin e pjesës së ndërtuar të Sheshit Skënderbeu përmes kamerave të vendosura në atë hapësirë. Pas vëzhgimit të incizimeve kemi informuar Ministrinë e Brendshme për ndërmarrjen e masave të mëtutjeshme ligjore për dënimin e shkaktarëve të dëmeve. Për parandalimin e dëmtimit të kësaj hapësire në të ardhmen e afërt kemi parashikuar edhe angazhimin e personave adekuat–rojeve”, njoftojnë nga Komuna e Çairit.
Pos këtyre dëmtimeve, projekti tashmë disa herë edhe ka pësuar ndryshime duke bërë që mjeshtrit të prioshin muret që dikur kishin ndërtuar. Afati i parë për përmbylljen e punimeve për projektin ‘ sheshi Skënderbeu’ ishte viti 2014. I njëjti ishte paraparë që të ndërtohet në tre faza. Faza e parë u përfundua në vitin 2013, faza e dytë filloi vitin e kaluar dhe punimet ende po vazhdojnë. Punimet për fazën e tretë të projektit nuk dihet se kur do të fillojnë në të cilën është paraparë ndërtimi i parkingut nëntokësor. Kostoja e përgjithshme e projektit kap vlerën prej rreth 10 milion eurove./Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=JTdS_8hss6E