Pas çmimit prestigjioz evropian për “Hapësirën Publike Urbane 2018” në Barcelonë, Sheshi “Skënderbej” ka marrë një tjetër vlerësim ndërkombëtar.
Mes 393 projekteve që garonin për Çmimin e Bashkimit Evropian për Arkitekturën Bashkëkohore, Sheshi “Skënderbej” mbërriti deri në finalen e madhe dhe fitoi çmimin e vendit te dytë, duke marrë vlerësime nga juria për fuqinë transformuese, fokusin tek këmbësorët, qëndrueshmërinë dhe gjelbërimin.
Ajo që ra në sy ishte gara e fortë dhe rezultati tejet i ngushtë i votimit, 4-3 në fazën finale, mes sheshit “Skënderbej” në Tiranë dhe projektit fitues të studios së famshme franceze “Lacaton- Vasal”, e cila konkurronte me një projekt godinash banimi dhe shërbimi në Bordo të Francës.