Një përplasje verbale për motive banale në një resort luksoz në Palasë ka përfunduar në një sherr masiv me dy të plagosur. Ngjarja ndodhi në ambientet e një resorti ku po këndonte këngëtari i njohur grek, Konstandinos Argiros.
Pamjet e sherrit u përhapën në rrjetet sociale, ku duken një grup personash duke qëlluar me grushte e sende të forta shtetasin Luçiano Koçeku, 42 vjeç, pronar i disa bizneseve. Gjatë sherrit është lënduar edhe 42-vjeçari nga Tirana Fatbardh Aliaj, ndërsa policia ka shpallur në kërkim 4 persona.
Fillimisht policia identifikoi dhe shpalli në kërkim Xhoni Spahon 28 vjeç nga Tirana dhe Genti Balecin 49 vjeç nga Durrësi, por pak orë më vonë u identifikuan edhe dy persona të tjerë. Bëhet fjalë për Fatmir Bejon dhe Klajdi Cerrin të cilët gjithashtu u shpallën në kërkim.
Policia e Vlorës sqaron se sherri masiv ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 25 gushtit, ndërsa dyshohet se gjithçka ka nisur pas një debate për hapjen e një shishe shampanjë që aksidentalisht ka lagur personat që ndodheshin aty pranë. /tch/