Site icon Telegrafi

Sherri në Familjen Mbretërore, Prokuroria kërkon shpalljen fajtorë të Princ Lekës, Elia Zaharisë dhe babait të saj

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar shqyrtimin e episodit të dhunës në Oborrin Mbretëror dhe ka kërkuar të mërkurën shpalljen fajtorë të Princ Lekës, Elia Zaharisë dhe të babait të saj dhe që dënimi i të treve të konvertohet në ‘shërbim prove’.

Sipas informacioneve, mësohet se Prokuroria e Tiranës ka lexuar pretencën për veprën penale të dhunës në familje për Princ Lekën, ish-bashkëshorten Elia Zaharia dhe babanë e kësaj të fundit. Organi i akuzës ka kërkuar dënim më të lartë për Princ Lekën, konkretisht 1 vit e 6 muaj burg, 6 muaj heqje lirie për Elia Zaharian dhe 1 vit burg për Gjergj Zaharian.

Sipas prokurorisë, Princ Leka akuzohet për dy episode dhune, një ndaj Elias dhe një ndaj babait të saj. Të tre personat, të cilët akuzohen për “dhunë në familje”, u gjykuan me procedurën e gjykimit të shkurtuar, ndërsa seanca për shpalljen është në 13 dhjetor ku vendimi do jepet nga gjyqtarja Migena Laska.

E gjithë ajo çfarë ndodhi brenda pallatit mbretëror në 5 mars pasdite u bë publik përmes një video virale në rrjetet sociale. Ndërkohë, më 25 prill Gjykata e Tiranës vendosi zgjidhjen e kurorës martesore mes Princ Lekës dhe Elia Zaharisë, ku vetë Leka Zogu pranoi që vajza 3-vjeçare të lihet nën kujdesin e nënës së saj. /Telegrafi/

Exit mobile version