Kompania Kosovare për Distribuim me Energji elektrike ka njoftuar se punëtori i cili ishte prekur me COVID-19, tashmë është shëruar.
KEDS njofton se tash zyrtarisht nuk e kanë asnjë punëtor të infektuar me coronavirus, transmeton Telegrafi.
“KEDS/KESCO llogariten kompani që e kanë menaxhuar në nivelin më të lartë pandeminë. Kjo, pasi 2200 punëtorët tanë vazhdimisht ishin edhe në vatrat e krizës duke pasur barrën e furnizimit me energji elektrike që është jetike në këto kohë e të cilën kompanitë e bartën me sukses të plotë. Suksesi u arrit pasi KEDS/KESCO menjëherë kishin formuar Shtabin e Krizës dhe i ishin përmbajtur strikt secilit udhëzim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Qeverisë së Kosovës. Shtabi vazhdon të ndjekë secilën lëvizje dhe merr vendime që zbatohen menjëherë”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se KEDS qysh në fillim kishin siguruar të gjitha pajisjet mbrojtëse për të gjithë punëtorët dhe udhëzimet strikte si të veprohet në situatën pandemike.
“Është bërë dezinfektimi i vazhdueshëm i hapësirave, duke përfshirë edhe veturat, sikurse janë ndërmarrë një mori veprimesh tjera. Me pajisje speciale mbrotjëse, punëtorët tanë kanë intervenuar në vazhdimësi edhe në zonat e karantinuara, duke kryer me sukses misionin për furnizim me energji elektrike. Kjo rezultoi me shërbime kualitative dhe me asnjë infektim, ndëtkaq punëtori që u shërua ishte rast kontakti në rrethin ku jeton pasi ai lokalitet ishte vatër e infeksionit”, vijon njoftimi.
Më tej në njoftim thuhet se “në ditën e punëtorëve, pra me rastin e 1 Majit, KEDS/KESCO janë kompani që zotohen ta kenë punëtorin në rend të parë, duke qenë se janë duke ofruar më së shumti trajnime brenda vitit dhe duke e respektiar strikt si Ligjin e Punës, ashtu edhe të gjitha rregulloret dhe standardet më të larta të punësimit dhe vendit të punës”./Telegrafi/