Telegrafi

Sherifi: Thaçi vizitoi Ujmanin për të përkeqësuar situatën në veri (Video)

Kryetari i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se Fatmir Limaj ka fuqi negociuese më shumë se Thaçi, sepse ai ka mbështetje nga qeveria dhe do të votohej në kuvend.

“Roli i Thaçit do të ishte ceremonial, pasi roli i presidentit në shtetin tonë është i tillë në bazë të kushtetutës”, tha Sherifi.

Ai në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se idenë e Thaçit nuk po e mbështesin as qytetarët, prandaj sipas tij “ujërat duhet të kthehen në vendin e vet”.

“Mospajtimet janë publike. Pozicioni i qeverisë është të shkojmë në dialog për të fituar njohjen nga Serbia dhe të zbatojmë pakon e Ahtisarit në limitet e saja, ndërsa pozicioni i presidentit është korrigjim kufijsh, që i bie shkëmbim territoresh”, tha Sherifi, duke thënë se nuk mund të paramendohet korrigjimi pa shkëmbime territoresh.

“Të tjerat janë lojëra fjalësh, se korrigjimi nuk ka të bëj me shkëmbimin e territoreve”.

Sherifi tha se vizita e Thaçit në Ujman kishte për qëllim përkeqësimin e situatës.

“Duke përkeqësuar situatën në veri, Thaçi dëshironte të rriste rolin dhe peshën e tij në Kosovë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Deputeti i koalicionit qeverisës ka deklaruar se refuzimi i madh që po i bëhet Thaçit po ndikon tek ai për të bërë veprime të tilla.

“Refuzimi total që iu bë Thaçit për korrektimin e territoreve po e shtynë atë të bëj veprime të tilla, për të ngritur rolin e tij”, tha Sherifi./Telegrafi/