Shefi i Grupit Parlamentar të Nismasocialdemokrate, Bilal Sherifi ka theksuar se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mund të nënshkruante marrëveshjet e arritura në mes Prishtinës dhe Beogradit si akt formal.
Ai në emisionin “Debat Plus”, me gazetarin Ermal Panduri ka thënë se shefi i shtetit mund të mbetet si pjesë e bisedimeve që pritet të rinisin në mes të dyja shteteve.
“Qeveritë e të dy vendeve së bashku me partnerët ndërkombëtarë duhet të arrijnë një marrëveshje. Le të bien dakord për një marrëveshje. Ne jemi të gatshëm dhe pranojmë që presidenti ta nënshkruaj marrëveshjen si akt formal. Madje le ta ruaj ekskluzivitetin e hapjes dhe mbylljes së bisedimeve”, ka shtuar Sherifi.
Ndryshe, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka deklaruar se Hashim Thaçi nuk është njeriu i duhur për t’i udhëhequr bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë Qeveria nuk e ka dhënë ende vendimin se kush do të udhëheqë këto bisedime.
Kundër që Thaçi të jetë kryenegociator i bisedimeve të reja në mes Prishtinës dhe Beogradit janë edhe deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), të cilët vazhdimisht e kanë cilësuar Thaçin si njeri që punon për interesa të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. /Telegrafi/