Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka deklaruar se në bazë të votave të rregullta, atyre të diasporës dhe votave me kusht, Nisma ka arritur që të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Sherifi në një konferencë për media tha se Nisma ka 5.017 për qind.
“Nisma Socialdemokrate ka arritur të grumbullojë rreth 42 mijë vota, nga votat e diasporës Nisma ka 915 vota, nga votat me kusht 1 mijë 401 vota. Koalicioni ynë ka arritur të bëhet pjesë e kuvendit duke arritur 5.017 për qind e votave”, tha ai.
Sa i përket votave të ardhura nga Serbia, ai ka thënë se kanë ardhur në Kosovë në mënyrë kriminale.
“Ne insistojmë që këto vota të cilat janë mbushur në mënyrë kriminale, kanë ardhur në Kosovë në mënyrë kriminale, që këto vota në asnjë mënyrë të mos trajtohen nga KQZ. Ne kemi ushtruar një ankesë në PZAP dhe ka marrë një vendim që na sugjeron që ankesa për këtë çështje është e hershme, kështu që pas shpalljes së rezultateve të bëjë ankesë. Do ta respektojmë këtë këshillë”, tha ai.
Ai tha se duhet të hapet rast hetimi për të gjetur se kush i ka mbushur votat e ardhura nga Serbia.
Sherifi tha se janë të gatshëm të pranojnë çfarëdo rezultati që vije nga votat e rregullta, por jo nga votat kriminale./Telegrafi/