Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, në një intervistë dhënë në Televizionin Dukagjini është shprehur se disa deputetë të Nismës kanë hequr nënshkrimet nga nisma për shfuqizimin e Ligjit të Gjykatës Speciale.
Mirëpo këtë e ka mohuar shefi i grupit parlamentar të Nismës për Kosovës, Bilall Sherifi.
“Deri tash asnjë deputet nuk më ka thënë se e ka tërheqë nënshkrimin”, tha Sherifi për KALLXO.com. “Nuk e di që Deda ka mbledhë nënshkrime”.
Por, Deda insiston që ka tërheqje të nënshkrimeve.
“Unë kam thënë që tetë deputetë janë tërhequr; ka të Nismës, ka të AKR-së edhe prej minoriteteve”, tha Deda për KALLXO.com.
Nënshkrimin nga nisma për shfuqizim të Ligjit të Speciales e ka tërhequr zyrtarisht deputeti i AKR-së, Islam Pacolli, i cili ka thënë se nuk ka qenë i njoftuar korrekt se për çka bëhet fjalë. Edhe deputeti i Nismës, Milaim Zeka, që ishte njëri nga nënshkruesit, është shprehur se deputetët janë mashtruar kur kanë dhënë nënshkrimet.