Telegrafi

Shërbyesit civilë anulojnë grevën

Kreu i Sindikatës së Pavarur të Administratës Publike, Ndue Kalaj tha se anulimi i grevës është bërë me qëllim që Qeveria të realizojë kërkesat e sindikatave pa presionin e grevës.

“Vendimi për mbajtjen e grevës nga Sindikata e Administratës Publike është shtyrë për datën 10 maj, duke i dhënë kështu Qeverisë së Kosovës, si në nivelin local, ashtu edhe në atë qendror, që në afatin optimal, të angazhohet për implementimin e memorandumit.

Vërtet ne nuk i kemi përfituar të gjitha kërkesat që i kemi parashtruar, por, mendojmë që i kemi dhënë një leksion Qeverisë, por, edhe sindikatave, që zgjidhja e kërkesave, përkatësisht dialogimi, të bëhet pa presionin e grevave. Dhe, me këtë rast, është dëshmuar se nëse Qeveria ka vullnet dhe sinqeritet, mund të vijë deri te një zgjidhje pa e aplikuar grevën”, ka thënë Ndue Kalaj.

Përfaqësuesit e këtyre sindikatave, kanë pasur, para disa dite, një takim me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, ku kanë diskutuar lidhur me realizimin e kërkesave të shërbyesve civilë. Kryeministri u kishte premtuar përfaqësuesve të shërbuesve civilë se do të bëjë çdo gjë që lejojnë mundësitë buxhetore për realizimin e kërkesave të tyre. /rtklive/