Telegrafi

Shërbyesit Civil nuk vlerësohen sa duhet

Përkundër që përfaqësuesit e institucioneve qeveritare thonë se shërbimi në Kosovë ka zhvilluar mjaftë përparime viteve të fundit, sindikata e këtyre punëtorëve thonë se ata nuk vlerësohen aq sa duhet.

Kështu u tha në një konferencë të organizuar nga Ministria e Administratës Publike për nderë të Ditës Ndërkombëtare të Shërbyesve Civil.
Me këtë rast, zëvendësministri i Ministrisë së Administratës Publike, Hajredin Hyseni, tha se ata po angazhohen shumë që këto përparime që i kanë bërë deri më tani në këtë drejtim t’i çojnë edhe më përpara.

“Shërbimi civil në Kosovë edhe pse i ri si dhe me specifikat e zhvillimit të vet ka zhvilluar mjaftë përparime në këto 16 vitet e fundit, me theks të veçantë nga 2008 e këndej. Me qëllim të arritjes së synimeve tona, Ministria e Administratës Publike me përkrahjen e donatorëve është duke punuar në krijimin e infrastrukturës ligjore, si dhe në krijimin dhe ndryshimin e tyre siç janë: ligji për procedurat e përgjithshme administrative, ligji për pagat dhe ligji për shërbimin civil”, tha Hyseni.

Me realizimin e këtyre reformave, sipas tij, Kosova do të kaloj në një stad krejt tjetër të shërbyesve civil.
Por, përkundër këtyre fjalëve, kryetari Sindikatës së Shërbyesve Civil, Mursel Zymberi, theksoi bindshëm që është duke u bërë shumë pak për zemrën e punëtorëve, siç i quan ai shërbyesit civil. “Parafolësit e mi thanë shumë çka me të cilat angazhohen dhe e kanë për detyrë të angazhohen por neve nga këndi tjetër shohim dhe kemi vërejtjet tona me të cilat shërbyesit civil si duket nuk vlerësohen sa duhet në masën që duhet të vlerësohen. Vërejtja e parë është Institucioni i konkursit që në shumë raste nuk po zbatohet në mënyrë të mirëfilltë”, tha Zymberi.

Ai ankohet se punëtorët janë të zhgënjyer me ligjin e pagave, ligj i cili është nxjerrë tash e sa kohë dhe me ligjin për kategorizimin e vendeve të punës.

Realisht jemi të zhgënjyer me ligjin e pagave për nëpunësit civil për faktin që ky ligj është nxjerrë, ka kohë që është nxjerrë dhe kurrsesi të futet në zbatim. Tani kemi ligjin për kategorizimin e vendeve të punës dhe ende jemi në huti a do të filloj, edhe pse është dashur të filloj nga një korriku, tani jemi në dilemë dhe nuk kemi garancion se a do të filloj edhe nga një janari i vitit 2016. Zërat e Qeverisë, flasin se është rrezik se nuk do të filloj as në vitin 2016”, tha Zymberi.

Sindikata e Shërbyesve Civil përmes kësaj konference, kërkoi nga Qeveria e Republikës së Kosovës që dita ndërkombëtare e tyre, të futet edhe në kalendarin e festave të shtetit tonë. /Telegrafi/