Telegrafi

Shërbyesit Civil Mustafës: Ngriti pagat ose protesta

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, në fillim të viti të ardhshëm do të përballet me presionin e sindikatave për rritjen e pagave prej 25 për qind, ashtu siç kishte premtuar Qeveria e kaluar dhe ish-kryeministri Hashim Thaçi.

Me kërkesën për rritjen e pagave ka dalë sot Federata Sindikale e Shërbyesve Civilë të Republikës së Kosovës, madje me kërcënimin se nëse nuk ndodh rritja, do të ndërmarrin të gjitha masat, deri në protesta dhe bojkotim të punës. Gjithashtu, u vlerësua se ngritja e pagave do të jetë premisë për uljen e korrupsionit.

Kryetari i Federatës, Hajrullah Hoxha, tha se tani dy partitë që janë në koalicion qeverisës, duhet ta mbajnë premtimin e tyre për rritje të pagave, sepse me këto premtime edhe kanë fituar në zgjedhjet e fundit dhe kanë lidhur koalicion qeverisës.

“FSShCRK-ja konsideron se mosrritja e pagave për shërbyesit civilë do të krijojë pakënaqësi të konsiderueshme në mesin e shërbyesve civilë në administratën e Republikës së Kosovës, për arsye se ngritja prej 25 për qind u është premtuar që nga fushata zgjedhore e partive politike të cilat ke koalicion ndërtuan institucionet e shtetit të Kosovës. Tani duhet të marrin obligimin e deklaruar para elektoratit me programet e tyre”, tha Hoxha.

Ai i ka shprehur edhe kërkesat e Federatës, njëkohësisht edhe të shërbyesve civilë, që janë për Qeverinë e re. “Rritja e pagave prej 25 për qind, zbatimi i Ligjit për pagat e shërbyesve civilë si dhe rishikimi dhe funksionalizimi i Rregullores për organizimin dhe sistemimin e vendeve të punës në institucionet e Kosovës, duhet të parashihen të implementohet nga 1 janari i vitit 2015”, tha Hoxha. /Telegrafi/