Site icon Telegrafi

Shërbimi sekret malazez mori informacione se po përgatitej atentat ndaj presidentit Milatoviq

Agjencia për Sigurinë Kombëtare (ANB) e Malit të Zi po verifikon informacionet në lidhje me përgatitjen e një atentati ndaj presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, të cilat kohët e fundit janë marrë përmes një burimi nga jashtë dhe për këtë është informuar kabineti i tij dhe Drejtoria e Policisë (UP), raporton “vijesti“.

Në përgjigjet për pyetjet e këtij mediumi malazez në lidhje me kërcënimet e mundshme serioze ndaj kreut të shtetit, Drejtoria e Policisë dhe kabineti i Milatoviqit kanë konfirmuar ekzistencën e këtyre informacioneve, ndërsa ANB-ja nuk ka dhënë përgjigje.

“Kabineti i presidentit të Malit të Zi është njoftuar për verifikimin e vërtetësisë së informacioneve që lidhen me një kërcënim të mundshëm për sigurinë e presidentit të shtetit, Jakov Milatoviq. Nuk kemi marrë detaje të tjera. Jemi njoftuar se autoritetet kompetente e kanë marrë këtë çështje në shqyrtim dhe pritet informacion i mëtejshëm”, përgjigjen nga shërbimi për marrëdhënie me publikun i Milatoviqit.

Nga UP-ja thonë se janë në dijeni se Agjencia ka “komunikuar” me Milatoviqin dhe kabinetin e tij në lidhje me informacionet e marra, të cilat “nuk janë nga një burim i drejtpërdrejtë”.

Një prej bashkëbiseduesve të “Vijesti”, i njohur me informacionet e shërbimeve të fshehta malazeze, ka deklaruar se informacionet për planifikimin e mundshëm të atentatit ndaj Milatoviqit kanë arritur në ANB përmes dy burimeve të ndërlidhura nga dy shtete të Ballkanit Perëndimor.

Këto burime pretendojnë se organizatori kryesor është një ish-oficer i lartë i një ushtrie të mëparshme të rajonit, ndërsa ekzekutuesi i drejtpërdrejtë do të ishte një person nga Mali i Zi.

Kujtojmë se në gjysmën e parë të korrikut të këtij viti, ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, njoftoi institucionet përkatëse shtetërore se kishte marrë informacion për një atentat të mundshëm ndaj tij.

Zyra e Gjukanoviqit konfirmoi se ish-kreu i shtetit i kishte marrë këto informacione nga disa zyrtarë ndërkombëtarë të inteligjencës dhe i kishte bërë të njohura për autoritetet përkatëse. /Telegrafi/

Exit mobile version