Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se nga dita e hënë do të fillojë me hapin e radhës të lehtësimit të masave mbrojtëse ndaj pandemisë COVID- 19 në institucionet korrektuese, ku do të fillojë lejimin e vizitave të organizatave joqeveritare, të cilat monitorojnë institucionet korrektuese.
Në njoftimin për media thuhet se gjatë vizitës se tyre, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare janë të obliguar të mbajnë distancën sociale dhe të kenë të vendosura maska dhe dorëza mbrojtëse.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës ka filluar lehtësimin e masave në bashkëpunim me Departamentin e Shëndetësor të Burgjeve. Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin publik rreth hapave në vazhdim”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/