Shërbimi Korrektues i Kosovës ka thënë se tentimi për sulm ndaj të dyshuarit për vrasjen e Liridonës, Granit Plava, ka ndodhur gjatë kohës së shëtitjes.
Sipas njoftimit, personat e dyshuar për vrasjen e të ndjerës Liridona Ademaj, janë të shpërndarë në tri qendra korrektuese dhe për shkak të ndjeshmërisë së rastit kanë nivel të lartë sigurisë.
SHKK thotë se nuk ka pasur tentim për ndonjë vetëvrasje nga të dyshuarit, por reagimi ka ndodhur në momentin që është vërejtur se batanija është dëmtuar.
“Njoftojmë se ndaj të paraburgosurit G.P, ka pasur vetëm tentim për ta sulmuar gjatë kohës së paraparë për shëtitje. Po ashtu, njoftojmë se nuk ka pasur as tentim për vetëlëndim, e as për vetëvrasje, në momentin që është vërejtur se batanija është dëmtuar, stafi ka reaguar me kohë”.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka themeluar Komisionin Hetimor për të sqaruar të gjitha rrethanat lidhur me rastin dhe do të vazhdojë ta mbajë publikun e informuar.
Ndryshe, sot në disa media u raportua se Granit Plava, i dyshuari për vrasjen e Liridona Ademaj, është rrahur në Burgun e Sigurisë së Lartë, por këto raportime i ka mohuar drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues së Kosovës, Ismail Dibrani.
Dibrani tha për Telegrafin se ka pasur vetëm tentim-sulmi, por që nuk ka pasur rrahje.
“Në momentin kur kanë tentuar të burgosurit me sulmu, stafi ka reaguar menjëherë dhe e ka parandaluar konfliktin. Nuk ka rrahje. Ka pasur tentim-sulm sepse është burg, dhe rasti është i ndjeshshëm, presioni i opinionit ka qenë i madh, mund të ketë kërcënime, tentim për sulm, por asnjëherë nuk ka pasur kontakt fizik. Edhe për këtë tentim ne do të themelojmë komisionin hetimor dhe do të dalim me rezultate konkrete”, ka thënë Dibrani.
Lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt deri tani janë arrestuar katër persona, në mesin e tyre është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Ndryshe, mbrëmjen e 29 nëntorit, në Prishtinë është vrarë 30-vjeçarja, Liridona Ademaj.
Rasti fillimisht u cilësua ‘Grabitje e armatosur me pasojë vdekjen’, pasi të dyshuarit, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli, kishin inskenuar ngjarjen që të paraqitet si grabitje e armatosur./Telegrafi/