Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Florent Gashi ka mohuar se një i paraburgosur që dyshohet për rastin e 11-vjeçares është sulmuar në ambientet e paraburgimit.
Fitim Limani, avokat i njërit prej të dyshuarve për rastin e dhunimit të 11-vjeçares ka bërë të ditur se klienti i tij është transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës pasi është sulmuar nga të paraburgosurit tjerë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
“Po është sulmuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë nga të burgosurit e tjerë dhe është transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz”, ka thënë Limani për Telegrafin.
Mirëpo zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Florent Gashi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se personi në fjalë nuk është sulmuar.
Gashi thotë se i dyshuari është dërguar në Burgun e Sigurisë se Lartë për çështje të sigurisë së tij.
“Personi në fjalë nuk është sulmuar, i njëjti është dërguar në Burgun e Sigurisë se Lartë për çështje të sigurisë së tij, për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm për shkak të veprës për të cilën dyshohet”, deklaroi Gashi.
Ndryshe Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh personit që dyshohet se mori pjesë në dhunimin e 11-vjeçares.
Një 11-vjeçare dyshohet së është dhunuar nga pesë persona, më 27 gusht, në Prishtinë.
Rasti nxiti reagime të shumta, si nga udhëheqësit e institucioneve, ashtu edhe nga përdorues të tjerë të rrjeteve sociale.
Policia e Kosovës njoftoi se viktima është dërguar në një strehimore.
Rasti u përkeqësua edhe më tej kur u mësua se gjashtë persona tjerë u arrestuan nën dyshimin se në muajin qershor kishin kryer tri vepra, ndër to atë të trafikimit të 11-vjeçares në Prishtinë.
Për rastin më 30 gusht ka dhënë dorëheqje drejtori i përgjithshëm Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti për “arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”.
Një ditë pas dorëheqje ka dhënë edhe Ali Gashi, i cili ka udhëhequr Drejtorinë për trajtimin e të burgosurve dhe të miturve në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Më 2 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar edhe për dy shkarkime.
Ndërsa gjatë së dielës ka pasur përplasje mes institucioneve në lidhje me efikasitetin e institucioneve të drejtësisë për trajtimin e rasteve të përdhunimeve./Telegrafi/