Burim Buleshkaj, ushtrues detyre i Drejtorit të Burgut të Sigurisë të Lartë, është larguar përfundimisht nga puna. I njëjti fat e ka pritur edhe zyrtarin korrektues Destan Zogaj.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se përfundimisht ka larguar nga puna, Burim Buleshkajn, ish UD. Drejtor i Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK dhe Destan Zogajn, Zyrtar Korrektues, ish UD-Drejtor në Qendrën e Paraburgimit Prizren.
“Ndaj tyre ishte iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues.
“Gjatë hetimit dhe rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë e tyre, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka konstatuar se lidhur me rastin në fjalë, B.B dhe D.Z janë përgjegjës për shkelje të rëndë disiplinore”, vijon tutje njoftimi.
Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës duke u bazuar në këto shkelje ka vendosur largimin e të dy nëpunësve civil nga puna.
Gjatë shtatorit të vitit të kaluar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media përmendi shkeljet e gjetura nga Inspektorati në rastin e Astrit Deharit.
“Është e rëndësishme të theksohet se sipas Inspektoratit, incizimet e kamerave të sigurisë nga kryeinspektori i MD dhe zyrtarët e SHKK, janë marrë para se ato t’i merrte policia, nga data 5 (Kur ka ndodhur rasti) dhe datat 6, 7 nëntor 2016”- ka deklaruar ministrja Haxhiu.
Sipas saj, marrja dhe posedimi i incizimeve të kamerave me aprovim të ish-drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj, te zyrtarët Ylber Topalli, Burim Buleshkaj dhe anëtarë nga Komisioni i SHKK përbën shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionin përkatës për mbrojtjen e të dhënave./Telegrafi/