Që nga 18 maji i viti të kaluar, Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) është pa drejtor të zgjedhur.
Në këtë datë (18.05.2021) Nehat Thaçi u pezullua nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së, me vendim nga Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë.
Ndonëse ka kaluar mbi një vit, ky institucion ende vazhdon të udhëhiqet nga zëvendësdrejtori Sami Gashi.
Nga Ministria e Drejtësisë në një përgjigje me shkrim për Telegrafin kanë bërë të ditur konkursi për këtë pozitë është i hapur në procedurë të konkurrimit.
Pa drejtor të rregullt aktualisht janë edhe tri qendra të paraburgimit dhe një qendër korrektuese.
Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë konfirmuar Telegrafin se për tri nga këto pozita janë hapur konkurse, ndërsa për një është iniciuar procedura e konkursit.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftoj se Shërbimi Korrektues aktualisht pa drejtor ka këto qendra:
Drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, (konkursi është i hapur) pozita është mbuluar me zëvendësues dhe kjo qendër funksionon normalisht;
Drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, (është iniciuar procedura e konkursit) pozita është mbuluar me zëvendësues dhe kjo qendër funksionon normalisht;
Drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, (konkursi është i hapur ) pozita është mbuluar me zëvendësues dhe kjo qendër funksionon normalisht;
Drejtor i Qendrës Korrektuese në Smrekovnicë, (konkursi është i hapur) pozita është mbuluar me zëvendësues dhe kjo qendër funksionon normalisht”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Lidhur me mungesën e drejtorëve në këto qendra, nga ministria kanë thënë se kjo po ndodh për shkak se të njëjtëve u ka skaduar afati i kontratave.
“Shërbimi Korrektues ka nxjerr vendim për ndërprerjen e kontratës për drejtorët e disa institucioneve korrektuese për arsye se të njëjtit janë përzgjedhur me konkurs publik me afat të caktuar dhe afati i caktuar në kontrate u ka skaduar”, thuhet në përgjigjen e Flamur Pirevës, Këshilltar Politik i Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut.
“Kundër vendimit të njëjtit kanë ushtrua ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ‘KPMSHCK’, ku ky i fundit me vendime të veçanta ka obligua SHKK-në, që të njëjtëve të ju lëshohet akt emërim me afat të pacaktuar”.
“Andaj, bazuar në vendimet e KPMSHCK-së, Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, ka nxjerr vendim për sistemimin e të njëjtëve në pozita udhëheqëse në Institucionet Korrektuese. Ndërsa në pozitat e tyre janë caktua zëvendësues të drejtorëve dhe janë hapur konkurset të cilat janë në procedurë.
Në burgjet e Kosovës, aktualisht janë mbi 1 mijë e 500 të burgosur të cilët vuajnë dënimin për vepra të ndryshme./Telegrafi/