Telegrafi

Shërbimi Korrektues i Kosovës sqaron rrethanat e  vdekjes së Naser Makollit

Pas lajmeve të publikuara në media lidhur me vdekjen të burgosurit Naser Makolli në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka dalë me një kumtesë ku sqaron rrethanat e vdekjes së të burgosurit.

Ne sqarimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), thuhet se  i ndjeri ka pasur probleme shëndetësore dhe ka qenë duke u trajtuar në QPL në Lipjan.

“Pas disa shkrimeve në portale për vdekjen e sotme të të paraburgosurit N.M., Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin se i ndjeri ka pasur probleme shëndetësore dhe ka qenë duke u trajtuar në QPL në Lipjan”, thuhet në njoftimin e SHKK, transmeton Telegrafi.

“Të ndjerit i është dhënë e gjithë ndihma mjekësore dhe trajtimi i nevojshëm paraprakisht edhe me rastin e keqësimit të gjendjes. Me rastin e vdekjes së tij, janë njoftuar autoritetet përkatëse të cilët po merren me procedurat për raste të tilla. Po ashtu, edhe SHKK dhe Ministria e Drejtësisë kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë për të gjitha detajet e rastit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/