Site icon Telegrafi

Shërbimi këshillues një prej hallkave kryesore për avancimin e bujqësisë

Prej sot bujqit dhe fermerët kosovar mund të angazhojnë këshilltarë publik dhe privat të licencuar për shërbime profesionale për veprimtarinë e tyre bujqësore.

Ministria e Bujqësisë ka ndarë certifikata për 136 këshilltarë bujqësor të sektorit publik dhe privat, të cilët kanë vijuar trajnimin në kuadër të projektit “Asistencë në formimin e shërbimeve këshilluese të MBPZhR dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve teknike të ofruara nga laboratorët e ministrisë”, financuar nga MBPZhR dhe Bashkimi Evropian.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, tha me këtë rast se shërbimi këshillues përbën një prej hallkave kryesore për avancimin e sektorit të bujqësisë. Sipas Krasniqit, këta këshilltar do të ndikojnë në ngritjen e zhvillimeve bujqësore, që janë me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës.

“Me juve 136 këshilltarë të certifikuar për bujqësi dhe zhvillim rural, këshillat bujqësore do të jenë konkrete, profesionale, dhe do të ndikojnë në ngritjen e nivelit të edukimit jo formal mbi kultivimin e shumë kulturave bujqësore dhe në zhvillimin e aktiviteteve të tjera në këtë sektor. Mua po ashtu më gëzon fakti që në mesin tuaj kemi rreth 25 këshilltare femra dhe këshilltarë nga radhët e komuniteteve. Kjo tregon se qasja jonë është gjithëpërfshirëse dhe se bujqësia duhet të shihet si një veprimtari e kohës që ofron mundësi për të kontribuar në zhvillimin e vendit tonë, në hapjen e vendeve të reja të punës si dhe ën zhvillimin profesional të fermerëve”, deklaroi Krasniqi.

Në anën tjetër, zëvendësshefi i bashkëpunimit në Zyrën e BE-së, Libor Chlad tha se Bashkimi Evropian është në mbështetje të bujqësisë, ngase e njeh potencialin bujqësor në ndikimin ekonomikë dhe në punësim. Ai tha se këta këshilltarët do të luajnë një rol thelbësor në bujqësi.

“Ju duhet dini se BE-ja është në mbështetje të sektorit të bujqësisë në Kosovë, ngase ne njohim potencialin që ka bujqësia në akseptin e ndikimit ekonomik, në ekonominë e Kosovës por jo edhe më pak më rendësi edhe në punësim. Kjo është shumë me më rëndësi në kontekstin e marrëveshjes të MSA-së që ka nënshkruar Kosova me BE-në dhe që do të prezantoj zonën e tregtisë së lirë me BE-në. Në këtë aspekt, këshilltarët bujqësor do të luajnë një rol esencial e thelbësor në shfrytëzimin e mundësisë në këtë marrëveshje të MSA”, tha Chlad.

Ndryshe, këshilltarët e certifikuar, që janë 136 sosh, do të kenë shtrirje në tërë komunat e Kosovës për këshillimin e të gjithë bujqve në Kosovë që konsiderohen se janë qindra-mijëra bujq në tërë vendin.

Këshilltarë t e certifikuar privat do të ofrojnë këshilla me pagesë për bujqit, kurse këshilltarët publik do të ofrojnë këshilla pa pagesë.

Luljeta Krasniqi e cila u certifikua për këshilltare private në bujqësi, tha se prej sot do të ketë mundësi që në aspektin profesional të jap këshilla profesionale për fermerët dhe bujqit kosovarë.

“Kosovës deri tash i kanë munguar këshilltarët e licencuar dhe prej këtij momenti që jemi të certifikuar kemi mundësi që në aspektin profesional të japim këshilla profesionale fermerëve. Meqenëse masteri im është agro-ekonom, më tepër do jemi të fokusuar në këshilla për agro-biznese, për aplikim për grante dhe në aspektin e zhvillimit ekonomik. Unë jam një prej këshilltarëve private jo publike, kështu që këshillat e mija do të jenë me pagesë”, tha Krasniqi.

Në këtë ceremoni ndër të tjera u tha se bujqësia mbetet sektor me prioritet për Qeverinë e Kosovës, dhe kjo dëshmohet edhe me rritjen e buxhetit në këto dy vitet e fundit për këtë sektor. /Telegrafi/

Exit mobile version