Drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, paralajmëroi se agjentura ruse dhe ajo serbe kanë mbajtur një qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë.
Teksa raportoi në Komisionin e Sigurisë për punën e institucionit që drejton gjatë vitit që lamë pas, Hyseni tha se në kuadër të misionit që SHISH-i ka është rritur bashkëpunimi me agjencitë e tjera ligjzbatuese.
“Kemi rritur bashkëpunimin me SPAK, Byronë Kombëtare të Hetimit, Drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme. Kryesisht jemi fokusuar në operacione që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, antiterrorin, spiunazhin ku përfshihet kundërvënia ndaj aktiviteteve të shërbimeve të inteligjencës ruse, serbe dhe shteteve të tjera”, tha Hyseni.
Opozitën, e cila më herët e ka akuzuar se ka bërë një vizitë sekrete në Beograd, drejtuesja e SHISH-it e ftoi të flasë me fakte.
“Të jemi të rezervuar dhe të flasim me prova e fakte kur akuzojmë për ndonjë aktivitet të Drejtorit të Shërbimit”, tha ajo
Pavarësisht insistimit të opozitës që mbledhja të zhvillohej me dyer të hapura, raportimi përpara deputetëve të Komisionit të Sigurisë i drejtoreshës së SHISH-it zgjati pak minuta për shkak të informacionit të klasifikuar që Hyseni tha se përmban raporti për vitin 2023. /Klan.al/