Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Hidrodrini’ ka njoftuar sot inovacionin e saj të fundit që synon të lehtësojë jetën e qytetarëve të Kosovës.
Duke qenë tashmë një ofrues i besueshëm i shërbimeve të ujësjellësit, Hidrodrini vazhdon të përmirësojë qasjen dhe metodat e pagesës për konsumatorët e saj.
Duke shtuar opsionin e realizimit të pagesave online përmes platformës shtetërore eKosova, Hidrodrini bën një hap të madh drejt modernizimit të shërbimeve të saj.
Ky hap i ri vjen si shtesë e mundësisë ekzistuese për kryerjen e pagesave online nëpërmjet web-faqes së kompanisë – [kruhidrodrini.com](https://www.kruhidrodrini.com), një risi që u bë e mundur falë bashkëpunimit me bankën BKT – Kosova.
Zyra për Media e KRU ‘Hidrodrini’-Pejë shprehu mirënjohje ndaj ekipit të eKosova dhe partnerëve të tyre për angazhimin dhe profesionalizmin e demonstruar gjatë procesit të integrimit të shërbimeve të pagesës.
“Falënderojmë ekipin e eKosova dhe bashkëpunëtorët për bashkëpunimin e tyre korrekt dhe profesional që na mundësoi finalizimin e këtij projekti. Synimi ynë është të ofrojmë zgjidhje të rehatshme dhe të shpejta për konsumatorët tanë të çmua”, thuhet në njoftim.
Hapja e pagesave përmes eKosova [ekosova.rks-gov.net](https://ekosova.rks-gov.net) është realizuar pas një përpjekje të përbashkët dhe një bashkëpunimi intensiv në mes të Zyrës së TI-së së Hidrodrinit dhe ekipit të platformës eKosova.
Me këtë risi, KRU ‘Hidrodrini’ bashkohet me KRU ‘Prishtina’ si dy nga kompanitë rajonale të vetme të Ujësjellit nga shtatët që operojnë në Republikën e Kosovës, që kanë përfshirë shërbimet e tyre në platformën eKosova, duke e bërë këtë një ndryshim pozitiv për konsumatorët e tyre./Telegrafi/