Dështimi për të ofruar atë që meriton Maqedonia e Veriut kërcënon BE-në në një rajon të rëndësishëm të rrethuar nga anëtarët e Unionit. Prandaj duket se vetoja bullgare “pati sukses” aty ku dështuan ndikimet e tjera të jashtme – të zvogëlojë fuqinë dhe ndikimin e BE-së në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, tha ministrja e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska në takimin e sotëm të ministrave të mbrojtjes të Evropës Qendrore që është duke u zhvilluar aktualisht nën presidencën e Kroacisë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Sheqerinska theksoi se Maqedonia e Veriut në katër vitet e fundit ka qenë plotësisht dhe sinqerisht e përkushtuar për integrimet euroatlantike, gjë që e shton edhe më shumë zhgënjimin me vonesën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE.
“Maqedonia e Veriut nuk u ul dhe priti të merrte një dhuratë, por vitet e fundit ne kemi punuar për reforma thelbësore, të dhimbshme dhe të vështira, jo vetëm për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe me Greqinë dhe Bullgarinë, por edhe për çështje të rëndësishme për axhendën Evropiane, si të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit, transparenca, lufta kundër korrupsionit, të drejtat e pakicave. Në të gjitha këto çështje Maqedonia e Veriut ka rezultate të dukshme”, tha ministrja i Mbrojtjes./Telegrafi/