Site icon Telegrafi

Sheqerinska: Ushtria është e gatshme të vendoset në funksion të mbrojtjes së qytetarëve

Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska sot vizitoi anëtarët e Ushtrisë në kazermat e Tetovës dhe së bashku me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Vasko Gjurçinovski, dërguan njësinë e dytë që u nis për në Dibër nga kjo kazermë, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Në përputhje me vendimin e Qeverisë për të shpallur gjendje krize në komunat Dibër dhe Centar Zupa dhe nismën e Qeverisë të aprovuar nga Presidenti Pendarovski që nga sot, Ushtria është e gatshme të mbështesë autoritetet civile, Ministrinë e Brendshme. Sot jemi këtu në garnizon, në kazermën e Tetovës, ku ekuipazhi i dytë që niset për në Dibër tashmë është gati”, tha ministrja, duke uruar Shtabin e Përgjithshëm dhe të gjitha komandat për reagimin e shpejtë.

“Praktikisht vendimi u mor nga presidenti vonë natën dhe ai menjëherë dha alarmin edhe stafit dhe siguroi të gjithë logjistikën – ushqimin, ujin. Sot, kontrolli i parë dhe zbulimi nga ajri tashmë është bërë, në vijën ku do të vendosen trupat dhe transporti i një pjese të forcave tona vetëm se ka filluar. Ne qëndrojmë në dispozicionin tonë, si më parë, për të treguar se Ushtria është një institucion që qytetarët kanë të drejtë të besojnë dhe mund t’i besojnë”, tha Ministrja.

Sheqerinska theksoi se reagimi i shpejtë i qeverisë ndaj masave kundër përhapjes së coronavirusit rezultoi i justifikuar, për shkak se falë tyre sëmundja nuk u përshkallëzua në mënyrë dramatike.

Ministrja falënderoi autoritetet shëndetësore dhe punonjësit e shëndetit për përpjekjet e mëdha që ata po bëjnë për të luftuar virusin, dhe u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë rekomandimet dhe ndalimet./Telegrafi/

Exit mobile version