Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, pas shtyrjes së seancës së sotme kundër sulmuesit të saj në natën e 27 prillit, Pançe Angellov, deklaroi se dhunuesit kryesor kanë qenë të manipuluar të kryejnë dhunë.
“Dhuna nuk paguhet, dhuna dënohet. Ishim të durueshëm këto muaj, edhepse nuk ishte e lehtë. Nëse kjo është vetëm pritje shtesë, nuk mendoj se ka problem. Besoj në drejtësi që çdo i akuzuar të ketë ndihmë të avokatëve”, tha Sheqerinska, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në pyetjen se nëse me zgjedhjen e prokurorit të ri shteëtror do të shpejtohen hetimet për zbardhjen e ngjarjeve të 27 prillit në Kuvend, Sheqerinska tha se edhe pa zgjedhjen e kryeprokurorit, Prokuroria ka detyrë të nis hetime dhe të ngrit akuza për zbardhjen e dhunës.
“Nuk e di sa njerëz punojnë në Prokurorinë Themelore, por e di se numri i tyre është i madh. Ata kanë detyrë ligjore të udhëheqin këto hetime edhe pa zgjedhjen e kryeprokurorit”, tha Sheqerinska./Telegrafi/