Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, foli në konferencën vjetore kombëtare të shoqatës “Populli dhe mbrojtja” te tema “Farkëtimi i së Ardhmes: Vizioni Strategjik i NATO-s nën udhëheqjen e re”, që po mbahet në qytetin suedez Selen.
“Rruga drejt anëtarësimit në NATO mund të zgjasë më shumë se sa pritej, të paktën kështu ishte rasti me Maqedoninë e Veriut dhe ne e dimë se me çfarë sfidash u përball Suedia, por ajo arriti t’i zgjidhë ato dhe tani është në shtëpi”, deklaroi Sheqerinska.
Ajo vlerësoi që integrimi në NATO nuk është i thjeshtë, ndërsa çdo popull ka të drejtën të zgjedhë rrugën e tij, siç e ka zgjedhur Maqedonia e Veriut rrugën e lirisë dhe demokracisë.
Sheqerinska vlerësoi rëndësinë e integrimit në NATO, duke llogaritur kërcënimet që vijnë nga Rusia në forma të ndryshme.
“Kur presidenti Putin e filloi sulmin në Ukraine, ai kërkoi më pak NATO. Tani ai mori më shumë NATO”, deklaroi Sheqerinska, duke shtuar se lufta në Evropë është kthyer përsëri.
Ajo alarmoi se forcat autoritare kanë marrë hov përsëri, ndërsa theksoi nevojën që vendet të shtojnë shpenzimet për mbrojtje dhe produkte mbrojtëse.
“Rusia është kërcënimi më i rëndësishëm dhe më i drejtpërdrejtë për sigurinë tonë. Sulmi i saj ndaj Ukrainës vazhdon, dhe kur lufta të përfundojë, ne nuk mund ta kthejmë orën aty ku ishim më parë. Rusia po përgatitet për një konfrontim afatgjatë me ne. Ata e thonë hapur këtë dhe veprojnë në përputhje me rrethanat. Ne jemi të përgatitur të mbrojmë qytetarët tanë dhe territorin tonë sot, por nuk mund ta garantojmë këtë në të ardhmen nëse nuk marrim masa tani”, deklaroi Sheqerinska.
Ajo theksoi nevojën që liderët të fillojnë të mendojnë si në kohë lufte.