Telegrafi

Shënon Suarez, Atletico me njërën dorë mbi titull

(Foto: Screenshot/Twitter/B/R/Football)

Atletico Madridi ka bërë një hap të madh drejt titullit të La Ligas duke e mposhtur Osasunan (2-1) në Estadio Wanda Metropolitano në ndeshjen e parafundit sezonale.

Me gjithë rastet në gjysmën e parë të ndeshjes, asnjëra nga skuadrat nuk ia doli që të shënonte.

Në fraksionin e dytë të lojës (75’), i asistuar nga Ruben Garcia, Ante Budimir e kaloi ne epërsi skuadrën mysafire duke i vënë në vështirësi vendasit.

Porse Renan Lodi i ktheu Los Rojiblancos në lojë pas një asistimi nga Joao Felix duke i barazuar shifrat (82’).

Dhe i jashtëzakonshmi Luis Suarez u kujdes për golin e fitores (88’) falë një harkimi të ulët nga Yannick Carrasco.

Pas kësaj fitoreje, Atletico Madridi ruan diferencën prej dy pikësh ndaj Real Madridit dhe gjithçka do të vendoset në xhiron e fundit.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Skuadra e Diego Simeones duhet ta fitojë ndeshjen që e zhvillon në udhëtim te Real Valladolidi dhe do ta fitojë titullin pavarësisht se çfarë bëjnë Los Blancos kundër Villarrealit.

Barazimi apo humbja e Atleticos e kombinuar me fitoren e ekipit të Zinedine Zidane, i shpall kampionë Mbretërit. /Telegrafi/