Florian Kamberi ka qenë protagonist në ndeshjen që Rangers e ka zhvilluar në udhëtim te St Johnstone.
Ylli shqiptar u inkuadrua në fushë në minutën e 46-të për të shënuar gol pas katër minutave në fushë dhe për të dhënë një asistim.
Megjithatë Rangers nuk arriti më shumë se një barazim 2-2, duke u larguar edhe më shumë nga ëndrra e titullit.
Pas ndeshjes Kamberi ka thënë se është i lumtur me golin e tij të parë me fanellën e Rangers, por jo edhe me rezultatin final.
“Jam shumë i lumtur që shënova golin tim të parë për klubin, por fatkeqësisht nuk jam i lumtur si do të dëshiroja pasi nuk morëm tre pikët”.
“Trajneri i njeh cilësitë e mia, ka besim te unë dhe çdo herë që kam mundësinë, nëse 45 minuta apo pesë minuta nuk ka rëndësi, unë mundohem të bëj gjithçka për të ndihmuar skuadrën”.
“Sot u mundova me një gol dhe një asistim, por fatkeqësisht pësuam dy gola dhe nuk mund të festoj siç e kisha planifikuar”, tha sulmuesi shqiptar.
Reprezentuesi i Shqipërisë ka thënë se është i gatshëm për ndeshjen në mes javë ndaj Bragës në udhëtim.
“Tani duhet harruar kjo ndeshje pasi ka kaluar dhe vëmendjen duhet ta kemi ndaj Bragës. Na pret një ndeshje e rëndësishme ku synojmë kalimin tutje”, përfundoi sulmuesi gjakovar.
Rangers kanë arritur fitore të rëndësishme në ndeshjen e parë të Ligës së Evropës 3:2 ndaj Bragës dhe një barazim në Portugali do të bënte që ekipi skocez të kalonte në fazën tjetër. /Telegrafi/