Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, po vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e dytë në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të FC Suharekës, Mevlan Zeka.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Milaim Humolli, Nail Kodraliu dhe Agim Xhakolli.
Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e dytë t’i takojë Zekës, i cili realizoi dy gola, duke i siguruar fitoren e parë ekipit të tij debutues në Albi Mall Superligë, FC Suharekës, ndaj Dukagjinit (3:1).
Pasi mori këtë çmim, Mevlani u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës.
“Së pari, falënderoj komisionin për vlerësimin si më i miri i javës. Kjo ishte një fitore historike për klubin e Suharekës, pasi është një skuadër e re që po merr pjesë në Albi Mall Superligën e Kosovës. Duhet të kemi kujdes në çdo ndeshje, pasi Superliga është një nivel shumë më të lartë se Liga e Parë dhe kundërshtarët dinë të ndëshkojnë në çdo moment”.
“Momenti i golit në minutën e 50-të ishte i duhuri dhe më pas e menaxhuam lojën mirë. Suhareka është një skuadër e organizuar mirë, edhe pse e re, brenda ka lojtarë me shumë përvojë dhe besoj se këtë vit do të arrijmë objektivat e klubit”.
“Shpresoj që Suhareka edhe në të ardhmen do të bëjë bujë në futbollin e Kosovës,” tha Mevlani për faqen zyrtare të FFK-së. /Telegrafi/