(E PLOTËSUAR) Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka konfirmuar se sot ka ndërruar jetë pacienti i shtrirë në Klinikën Infektive, i cili ishte i infektuar me virusin COVID 19.
Në njoftimin e IKSHPK thuhet se ky është rasti i parë me vdekje nga COVID 19.
“Klinika Infektive informoi se sot, pacienti 82 vjeç nga Dumnica e Podujevës, ka përfunduar me vdekje më 22.03.2020 në ora 9.00.
Ky është rasti i parë me vdekje nga COVID 19.
Pacienti lindur më 1938 fshati Dumnicë, Komuna Podujevës është pranuar në Klinikën Infektive më 16.03.2020 në ditën e 6 të sëmundjes me shenja të infiltrimit pulmonar dhe pneumonisë masive majtas është diagnostikuar në Laboratoret e IKSHPK me SARS-CoV-2.
Pacienti ka patur edhe sëmundje shoqëruese kronike: kardiake dhe sëmundje kronike mushkërore (SPOK).
Rasti në fjalë është kontakt nga djali i tij dhe vajza e tij pozitive.
Të gjitha kontaktet e rekomanduara për vetëizolim”, thuhet në njoftimin e IKSHPK.
——-
Në Klinikën Infektive ka ndërruar jetë personi i infektuar me virusin COVID 19, i cili është nga Duminca e Podujevës.
Lajmin për vdekjen e tij e ka publikuar familja përmes një postimi në Facebook.
Viktima është një 82-vjeçar, babai i të infektuarit të parë nga kjo familje, që kishte ardhur nga Italia, transmeton Telegrafi.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës ka shkuar në 31 numri i personave të prekur me coronavirus në Kosovë.
Rasti i fundit që ka rezultuar pozitiv është thënë të jetë një 31-vjeçar nga fshati Senik i Malishevës.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në gjithë botën, në total janë 298,393 njerëz të infektuar, 12,755 të vdekur dhe 91,540 të shëruar. /Telegrafi/