Kosova po shënon ditën e fundit të javës së imunizimit. Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u tha se mbulueshmëria me vaksinim në tërë territorin e Kosovës është 95%. Ndërsa, neglizhencë për vaksinim po paraqitet nga komuniteti RAE. Ndërkaq Ministria e Shëndetësisë për këtë vit ka ndarë 539.000 euro për sigurimin e vaksinave nga kalendari i vaksinimit të obliguar me ligj dhe 350,000 për vaksinat sipas indikacioneve epidemiologjike.
Fillimisht, po e bën një vizitë mjekësore. Madje është shumë në humor, deri në momentin kur futet në dhomën e vaksinimit, ku vogëlushja 5 muajshe do të marr vaksinën e radhës, ashtu siç është e paraparë me kalendarin e vaksinimit.
Edhe pse me të qara, kjo procedurë kaloi me sukses.
“Morëm vaksinën e parafundit, kaluam mirë edhe pse pak qau fëmija, por në përgjithësi kaluam mirë”, shprehet për RTV Dukagjinin e ëma e një fëmije që sapo mori vaksinën.
Kosova po shënon edhe javën e imunizimit, me këtë rast prindërve ju është bërë thirrje për t’i vaksinuar fëmijët.
Shefi i njësisë së vaksinimit, Nexhmedin Hoti thotë se gjatë kësaj jave ka pasur edhe kampanja vetëdijesuese për prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.
“Kemi bërë disa aktivitete, kemi mbajtur disa ligjërata dhe kemi njoftuar edhe popullatën që vijnë çdo ditë në qendrat e imunizimit. Kemi bërë edhe shpërndarjen e broshurave të ndryshme”, shprehet Nexhmedin Hoti.
Mirëpo sipas Hotit problem po paraqitet me komunitetin RAE të cilët nuk po i sjellin fëmijët e tyre për vaksinim.
“Dua të kërkoj nha komuniteti RAE që gjithsesi të vijnë e t’i sjellin fëmijët e tyre në qendrat e vaksinimit. Për momentin në Kosovë këtu qëndron proplemi pasi ky komunitet ka filluar përsëri të mos i sjellë fëmijët për vaksinim”, shtoi më tej Nexhmedin Hoti.
Ndërsa, instituti kombëtar i shëndetit publikë, përmes një përgjigje elektronike ka deklaruar se mbulueshmëria me vaksinim në tërë territorin e Kosovës është 95%.
Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se për këtë vit janë ndarë 539.000 euro për sigurimin e vaksinave nga kalendari i vaksinimit të obliguar me ligj dhe 350,000 për vaksinat sipas indikacioneve epidemiologjike./RTV Dukagjini/Telegrafi/