Sot është shënuar “Java e njeriut me shkop të bardhë” në Mitrovicë, përmes një aktiviteti simbolik, ecje në sheshet e qytetit.
Ky aktivitet është organizuar nga Komuna e Mitrovicës në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve, shkruan Telegrafi.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin drejtoresha e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, Drita Ibrahimi, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Fahri Shabani, drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Fahri Jashari, drejtori i Drejtorisë për Ekonomi dhe Turizëm, Elvis Feka, si dhe përfaqësues nga Shoqata e të Verbërve në Komunën e Mitrovicës.
“Nga drejtorët e drejtorive komunale u potencua se Komuna e Mitrovicës po tregon kujdes të shtuar për këta persona, por edhe për kategori të tjera të qytetarëve me aftësi të kufizuara, duke i mbështetur me subvencione në realizmin e projekteve të tyre, gjithashtu edhe inkuadrimin e tyre në fusha tjera”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.
Ndërsa, përfaqësues nga Shoqata e të Verbërve të Mitrovicës thanë se shoqata zhvillon aktivitete të ndryshme, me mbështetje të komunës, institucioneve të tjera vendore e ndërkombëtare, me qëllim që anëtarësia të takohet dhe të diskutojë për problemet dhe të propozojë aktivitete për tejkalimin e tyre. /Telegrafi/