Site icon Telegrafi

Shënohet Dita Ndërkombëtare e Postës

Posta e Kosovës, ka shënuar të premten Ditën Ndërkombëtare të Postës, përmes aktiviteteve të ndryshme.

Dita Ndërkombëtare e Postës shënohet për çdo vit, më 9 tetor, në të gjitha shtetet e botës. Në këtë datë, në vitin 1874 është themeluar Unioni Postar Universal (UPU), agjenci e Kombeve të Bashkuara, që përbëhet nga 192 shtete anëtare.

Në këtë përvjetor, tetë postierë të dalluar në punë, janë nderuar me nga një mirënjohje nga Kryeshefi Ekzekutiv Sejdi Hoxha.

Këta postierë Murat Shala, Selamet Mustafa, Arsim Shala, Ismet Ahmeti, Edmond Krasniqi, Krenar Katona, Zenel Dauti dhe Arsim Musliu, që janë përzgjedhur nga secili regjion i Postës, janë shpërblyer edhe me dhurata tjera si dhe me nga një shumë simbolike financiare.

Kryeshefi i Postës Sejdi Hoxha i ka falënderuar postierët për angazhimin dhe përkushtimin e tyre shembullor në shërbim të qytetarëve. Ai gjithashtu ka folur para tyre për Ditën Botërore të Postës, të arriturat dhe sfidat e ndërmarrjes publike postare.

“Të gjithë punonjësit e Postës meritojnë falënderim për punën tyre në këtë përvjetor, mirëpo postierët janë pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e shërbimit postar me kontributin dhe sjelljen e të cilëve krenohemi të gjithë”, ka thënë Hoxha.

Ai theksoi se Posta ka rritje të vazhdueshme në tregun postar të Republikës së Kosovës. Sipas ARKEP-it, në bazë të matjeve më të fundit, Posta e Kosovës mbulon mbi 84 për qind të tregut postar. “Kjo është një dëshmi se besimi i konsumatorëve, bizneseve dhe institucioneve është rritur shumë gjatë tri viteve të fundit”, ka deklaruar kryeshefi i Postës së Kosovës Sejdi Hoxha. /Telegrafi/

Exit mobile version