Sot (e shtunë) shënohet Dita Botërore e Teatrit.
Me këtë rast, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë një deklaratë për komunitetin artistik të teatrit, duke ua uruar këtë ditë.
“Sot, në një nga ditët më të rëndësishme për teatrin në vend dhe në gjithë botën, më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë për punën, kontributin, përkushtimin e vetëmohimin tuaj në zhvillimin dhe avancimin e teatrit dhe jetës teatrore në vend dhe jo vetëm.
Sukseset dhe rezultatet e punës suaj nuk janë vetëm tuajat, ato suksese në vazhdimësi kanë qenë dhe janë suksese të të gjithë neve si shoqëri e si shtet, ngase pjesën më të mirë të imazhit të Kosovës e keni krijuar ju, artistët, krijuesit e performuesit kosovarë.
Si Ministër i Kulturës i sapoemëruar, jam i vetëdijshëm që kushtet në të cilat veproni nuk janë më të mirat, njoh sfidat e mungesat e juaja, por jam këtu që së bashku me ju të shtyjmë para punë të mira e procese që do të ndryshojnë gjendjen ekzistuese në fushën e kulturës. Bashkërisht me kontributin tuaj, kultura në përgjithësi dhe teatri në veçanti do njohin zhvillimin dhe avancimin e merituar mëtutje.
Më lejoni që secilit prej jush t’ i urojë përzemërsisht 27 Marsin- Ditën Botërore të Teatrit. Ju urojmë punë të palodhshme dhe suksese të vazhdueshme në punën tuaj fisnike. Ju sigurojmë se ne do të jemi përkrah jush në rrugën tuaj aspak të lehtë.
Në pamundësi të shpalljes së laureatëve të çmimeve në fushën e teatrit për vitin 2020, për shkak të kohës tejet të shkurtër nga marrja e mandatit si Ministër dhe duke respektuar këtë proces si të rëndesishëm për vlerësimin e punës suaj, ju siguroj që në ditët në vijim do të përmbyllim procesin e ndarjes së çmimeve të teatrit ashtu siç ju e meritoni duke ju trajtuar me korrektësi e profesionalizëm”, shprehet Çeku. /Telegrafi/