Site icon Telegrafi

Shënohet Dita Botërore e të Pastrehëve, institucionet nuk kanë shifra zyrtare

Në organizim të Kryqit të Kuq të Bashkisë së Shkupit sot në pikën për të pastrehë “Momin Potok”, do të shënohet Dita Botërore e të Pastrehëve.

Edhe pse nuk ka shifër të konfirmuar, në Maqedoni dyshohet që të ketë më shumë se 500 të pastrehë, ndërsa nga Kryqi i Kuq thonë se numri i kësaj kategorie sa shkon e rritet. Qendra për strehim në Momin Potok dhe Çiçino Sello janë shpresa e vetme e të pastrehëve gjatë sezonit të dimrit.

Gjatë 10 viteve të fundit në Maqedoni, si pasojë e të ftohtit kanë humbur jetën së paku 6 persona, ndërsa gjatë vitit të kaluar vetëm në punktin për strehim në Momin Potok, rreth 190 persona kanë kërkuar strehim, ushqim dhe mjekim.

Pika për të pastrehët në Momin Potok funksionin për të dhjetë vite me radhë dhe ofron shërbime ku sigurohen nevojat elementare , siç është mjekimi, ushqimi dhe strehimi gjatë stinës së dimrit, ndihmë dhe mbështetje për qëllim të mundësojë që të pastrehët t’i realizojnë të drejtat e tyre themelore dhe të ri integrohen në shoqëri. Të pastrehët në këtë pikë mund t’i kontrollojnë shërbimet për mbajtje të higjienës, ndërsa me ta punon edhe një ekip mjekësh, një psikolog dhe punonjës social. Ata gjithashtu marrin edhe veshje, ushqim dhe të mira të tjera materiale.

Sot gjatë shënimit të ditës së të pastrehëve do të sigurohet drekë, donacion nga një person privat, si dhe ndihmë në këpucë për 70 të pastrehë, të cilët rregullisht e vizitojnë pikën.

Exit mobile version