Site icon Telegrafi

Shënohet dita botërore e Postës

Posta Kosovës ka shënuar Ditën Botërore të Postës, përmes aktiviteteve të ndryshme. Dita Botërore e Postës shënohet për çdo vit, më 9 tetor, në të gjitha shtetet e botës. Në këtë datë, në vitin 1874 është themeluar Unioni Postar Universal (UPU), agjenci e Kombeve të Bashkuara, që përbëhet nga 192 shtete anëtare.

Sipas një njoftimi nga Posta e Kosovës thuhet se, pikërisht në këtë përvjetor, grupi i parë i nxënësve të Shkollës së Mesme Teknike “28 Nëntori” nga Prishtinë, ka filluar mësimin praktik në Postën e Kosovës.

Nxënësve dhe mësimdhënësve të tyre u ka dëshiruar mirëseardhje, Sheqet Avdija, Zëvendëskryeshef Ekzekutiv i Postës. Ai gjithashtu ka folur para tyre për Ditën Botërore të Postës dhe shërbimeve më të rëndësishme të Postës së Kosovës.

Rreth 180 nxënës të drejtimit postar do të vijojnë mësimin praktik në Postën e Kosovës deri në qershor të vitit të ardhshëm. Ata do të kenë mundësi të mësojnë për funksionimin e shërbimit postar të Postës së Kosovës.

Me rastin e Ditës Botërore të Postës dy postierë të dalluar në punë, Enver Ukaj nga Regjioni i Prizrenit si dhe Egzon Bytyçi nga Regjioni i Prishtinës, janë nderuar me nga një mirënjohje.

Zëvendëskryeshefi Avdija i ka përgëzuar të dy postierët për angazhimin dhe përkushtimin shembullor në shërbim të qytetarëve.

“Të gjithë meritojnë t’i falënderojmë për punën në shërbimin postar, por angazhimi juaj është frymëzim për të gjithë punëtorët”, ka thënë Avdija. /Telegrafi/

Exit mobile version