Site icon Telegrafi

Shënohet 100 vjetori i Ditës Ndërkombëtare e Kontrollorit të Trafikut Ajror, çdo vit udhëtojnë mbi 4 miliardë pasagjerë në botë

Çdo 20 tetor shënohet Dita Ndërkombëtare e Kontrollorit të Trafikut Ajror.

Sipas njoftimit të Shoqatës Sindikale të Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Kosovës (SINKON), çdo vit kjo industri është përgjegjëse për sigurinë e mbi 4 miliardë pasagjerëve në vit në botë.

“Më 20 tetor, Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Kosovës jo vetëm që feston Ditën Ndërkombëtare të Kontrollorit Ajror, por edhe përkujton njëqind vjet të Kontrollit të Trafikut Ajror. Një përplasje në ajër mbi Francë në vitin 1922 nisi një industri globale që, një shekull më vonë, është përgjegjëse për sigurinë e mbi katër miliardë pasagjerëve në vit”, thuhet në njoftim.

“Nëpërmjet angazhimit të përditshëm të dhjetëra mijëra kontrollorëve të trafikut ajror, udhëtimi ajror është shndërruar në formën më të sigurt të transportit. Edhe pse teknologjia ka evoluar në mënyrë dramatike në ato 100 vjet, njerëzit janë ende shumë në qendër të sistemit të menaxhimit të trafikut ajror. Festimi i njëqindvjetorit nuk është vetëm një mundësi për të parë prapa, por për të parë përpara në të ardhmen e profesionit tonë dhe sfidat e shumta me të cilat përballet, duke përfshirë shqetësimet mjedisore”, përfundon SINKON. /Telegrafi/

Exit mobile version