Telegrafi

Shënohen 21 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri, 13 prej tyre janë personel shëndetësor

Në 24 orët e fundit ka vazhduar të jetë i lartë numri i rasteve te reja te prekur me COVID-19 në Shqipëri.

Ndër rastet e reja, 13 prej tyre janë personel shëndetësor në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës.

“Nga një hetim i thellë epidemiologjik, rezulton se ndër rastet e reja janë 13 të prekur në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të një infermiere e cila rezultoi pozitive dy ditë më parë, e infektuar jashtë spitalit. Prej tyre 9 janë pa simptoma dhe të vetëizoluar, ndërsa 4 pacientë janë transferuar në spitalin infektiv. Ndërkohë vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë, e cila mbetet vatra kryesore në vend”, deklaroi Flutura Beqo nga Ministria e Shëndetësisë.

Po ashtu, Beqo konfirmoi se vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 25 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive.

Gjatë 24 orëve të fundit janë të shëruar 9 qytetarë, duke e çuar mbi 800 numrin e të shëruarëve që nga fillimi i epidemisë.

Në Shqipëri, deri tani janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1050. Prej tyre aktualisht janë 205 persona aktivë me COVID-19. /Telegrafi/