Dita e librit duhet të na shërbej si pikë reflektimi për të kuptuar dhe vlerësuar këtë pasuri të madhe që kemi – shpikjen më gjeniale të njeriut. Në këtë ditë, duhet të përkujtojmë me pietet shenjtërinë e librit dhe të përulemi me nderim para gjithë kolosëve të mëdhenj që na bënë jetën më të bukur dhe me të hareshme, me libra të mrekullueshëm. Po në këtë ditë duhet të reflektojmë për rolin që zë libri në jetën tonë dhe në edukimin e brezave.
Është thënë e stërthënë se libri, ndër ne, ka nevojë për një trajtim më serioz dhe me të përgjegjshëm. Aporia e botimeve të gjithfarshme ka shprishur rendin e vlera dhe kjo gjë duhet të na kujtojë vazhdimisht thënien gjeniale të nobelisitit Herman Hesse: “Nga të gjitha gjërat e vlefshme, që njeriu s’i ka marrë dhuratë nga natyra, por e ka shpikur vetë, librat janë shpikja më e vlefshme”!
Po në këtë ditë të librit duhet të na kujtohet historia dhe peripecitë e librit shqip, nga “Meshari” (1555) i Gjon Buzukut (libër ky që vuri themelet e kulturës shqiptare, letërsisë shqipe dhe identitetit shqiptar) e gjer në dekadat e fundit.
Të kujtojmë se Buzuku, ndër të tjera, në parathënien e Mesharit do të shtrojë: “U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gjuha jonë nukë kish gjo të të ndigluom (që të jetë dëgjuar) nse shkruomit shenjtë, nse dashunit nse botëse sanë, desha me u dedigune përsa mujta me ditune, me zbritunë (me ndriçue) pak mendetë e atyne që ndiglojinë”. Kjo vepër, sipas studiuesit Eqrem Çabej, si nga koha, si nga madhësia zë kryet e vendit jo vetëm në fushën e gjuhësisë, po edhe të literaturës shqiptare. Autori i kësaj është kështu themeluesi i kësaj literature. Duke e shkruar librin për dashuri ndaj popullit dhe gjuhës dhe për të ndriçuar mendjet e atyre që e dëgjojnë dhe lexojnë, Buzuku si prift dhe misionar, vuri njëherësh edhe themelet e letërsisë shqipe.
Ashtu sikur në kohën e Buzukut, edhe sot kemi nevojë të shkruajmë për dashuri ndaj botës sonë dhe për dashuri ndaj fjalës së bukur
Libri shqip ka tashmë një traditë të konsoliduar dhe lypset që të punohet vazhdimisht të promovohet libri, si ilaç i domosdoshëm për edukimin dhe formimin e një shoqërie të shëndoshë.
Është thënë vazhdimisht dhe thuhet se vetëm një kulture e mirëfilltë mund t’i jap shtysë zhvillimeve tona dhe mund të na shtojë zellin për të ndryshuar gjendjen tonë të zymtë, drejt një perspektive ma pozitive. Këtë nxitje mund ta bëjmë nëpërmjet trajtimit të dinjitetshëm të librit. Sepse libri është i shenjtë, thoshte shkrimtari erudit Hose Luis Borhes. Andaj, si shkrimtar që e çmonte fjalën deri në adhurim, ai kërkon tretman të veçantë për librin, sepse për këtë erudit “ta vësh një libër në duart e një injoranti, është po aq e rrezikshme sa të vësh një shpatë në duart e një fëmije. Ja pra se çfarë mendohej atëherë për librin”.
Këtë mendim të Borhesit, është momenti ta bëjmë mendim të vlefshëm kombëtar, që nëpërmjet librit, të krijojmë antitrupa nga helmi i gjuhës, që na sulmon vazhdimisht.
Pa asnjë ekzagjerim, libri është ilaçi më i mirë për një shoqëri të shëndoshë dhe të prosperuar. Ai është ilaçi më i mirë për të kuptuar të kaluarën dhe për të ecur me vetëdije drejt të ardhmes. Ai lufton harresën dhe kultivon kujtesën. Prandaj, sot, duhet të galdojmë si në kor: rroftë libri.