Nëse mendoni se shumë shpejt do të pushoheni nga vendi i punës, atëherë bëni mirë t’i lexoni shenjat e fshehta që ju paralajmërojnë për këtë.
Nuk jeni në dijeni për gjërat e reja që ndodhin në punë
Nëse më parë kishit informacione për atë që ndodhte në vendin tuaj të punës, por tani nuk keni më asnjë të dhënë dhe papritur e gjeni veten jashtë çdo lajmi të ri në kompani, atëherë me keqardhje duhet të dini se emri juaj po fillon të vijëzohet me të kuqe.
E ndieni veten të injoruar nga të tjerët
Kontakti me sy është një nga format më të mira të komunikimit kur gjërat po shkojnë mirë, por nëse ky kontakt ndërpritet, asgjë e mirë nuk do të ndodhë. Të shikosh në sy dikë që e di shumë mirë se është në telashe të mëdha, është diçka shumë e vështirë, ndaj nëse jeni ju ai apo ajo që nuk ju shohin më në sy, që nuk ndalojnë të bëjnë një bisedë të shkurtër, apo nëse një dhomë boshatiset sapo hyni ju, dijeni se jeni në probleme të mëdha.
E lexojnë ecurinë tuaj në punë si një lajm në kronikën e zezë
Shumicën e herëve ecuria në punë është një përmbledhje e arritjeve tuaja të mira, edhe pse shefi juaj nuk dëshiron të thotë “shumë të mira”, sepse gjithnjë ka vend për përmirësim. Nëse kohët e fundit përmbledhja juaj ka filluar të mbushet me shprehje negative dhe ajo lexohet pa entuziazëm dhe me një ton dramatik, atëherë bëni mirë që të filloni të “luteni.”
Është shitur apo shkrirë kompania në të cilën punoni
Rrallë herë mund të ketë një lajm të mirë në këto raste për punonjësit. Normalisht që drejtuesit e kanë rregulluar një marrëveshje të mirë për veten e tyre, por stafi, kur kompania është shitur apo shkrirë, pritet të ndryshojë në një përqindje të lartë. Kur dy kompani shkrihen në një, kjo do të thotë se të gjitha vendet e punës përsëriten dy herë, atëherë në këtë rast zbatohet e tmerrshmja: “shkurtime”.
Ju kanë ngarkuar punë të rëndësishme pa asnjë mundësi të realizohen
Ky është fundi juaj i fshehtë dhe mos kujtoni se jeni të vetmit, është një metodë shumë e përhapur. Në këtë rast kompania ka nevojë për një arsye të fortë që t’ju largojë. Kështu ju ngarkon një detyrë të madhe, të cilën ju ka gjasa të mos e përmbushni kurrë, sepse në vetvete ajo punë është projektuar për të qenë e pamundur. Kjo metodë përdoret për personat që kanë pasur vetëm arritje të mira, që i kanë përkushtuar punës jetën dhe familjen e tyre.
A keni më pak përgjegjësi sesa një praktikant
Për fatin tuaj të keq zhveshja nga përgjegjësitë është një shenjë e sigurt se pushimi juaj nga puna do të shfaqet shumë shpejt në horizont. Në fund të fundit askush nuk nxjerr jashtë nga kompania dikë që ka tonelata pune për të përfunduar. Pritet që drejtuesit t’ju japin një titull të ri, me shumë pak punë dhe pothuajse asnjë anëtar grupi. Kështu ju do ta gjeni veten duke ndenjur kot gjithë ditën, një shenjë e mirë kjo se shumë shpejt do të vijë shefi dhe t’ju nxjerrë në rrugë.
E ndërpresin bisedën kolegët tuaj sapo ju afroheni
Nëse jeni duke marrë fund, kini parasysh se do të jeni i fundit që do ta merrni vesh. Teksa thashethemet për fundin tuaj përhapen me shpejtësi në çdo zyrë, dijeni se kolegët tuaj do të jenë shumë të lumtur të diskutojnë rreth saj. Do të shihni njerëz që pëshpëritin nëpër cepa dhe nëse ju afroheni, biseda do të ndërpritet për të vazhduar me komentimin e motit. Dijeni se nuk e keni të gjatë…
Keni parë të shpallur një vend të lirë pune që i përngjan pozitës suaj
Burimet njerëzore mund të jenë shumë dinakë. Ata nuk duan t’ju pushojnë pa pasur dikë që t’ju zëvendësojë menjëherë. Për këtë arsye ka shumë mundësi që vendi juaj i punës të reklamohet për muaj në internet ose tek agjencitë e punësimit. Edhe në rastin më të keq, ata e punësojnë personin tjetër më shpejt sesa ju të ikni dhe ju ngarkojnë si detyrë që ta mësoni atë. Pastaj, ju pushojnë!
Ju kanë kërkuar të shkoni me pushime
Le të jemi të sinqertë tani, kompanitë në çdo vend të botës nuk janë agjenci turistike. Nëse ato ju japin juve një ofertë për të shkuar me pushime ka dy mundësi: “Keni vite që e prisni ose do t’ju pushojnë së shpejti”. Duke ju larguar për ca kohë, ata do ta kenë më të lehtë për të diskutuar për pushimin tuaj nga puna pa ju pasur vërdallë. Në kohën kur ta kenë marrë vendimin, bashkë me valixhet e pushimeve, merrni edhe sendet tuaja të punës dhe kthehuni në shtëpi.
Jua kanë anashkaluar sukseset e arritura së fundmi
Në këtë rast shefat dhe bashkëpunëtorët tuaj fillojnë të mos i vënë re sukseset tuaja të fundit, ju ulin vlerat dhe ngrenë rolin e tyre. Nëse të gjithë po fillojnë ngadalë të mos ju respektojnë apo vlerësojnë punën, të njëjtën sasi pune që për të cilën më parë ishit cilësuar “njeriu i artë” i kompanisë, këto janë shenja të një pushimi afatgjatë nga puna.
A është larguar shefi apo mentori juaj
Nëse dikush të cilit ju i besonit dhe e respektonit shumë, është larguar nga puna për arsye të ndryshme, si rritje në detyrë, i pushuar apo ka hequr dorë, kjo nënkupton telashe për ju. Ky person mund të ishte i vetmi që mund t’ju mbronte nga ujqërit e zyrës, tashmë jeni vetëm dhe jo për një kohë të gjatë në atë pozicion.